Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar për përfundimin e hetimeve të nisura lidhur me deklarimet e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili më 30 korrik kishte pretenduar për praninë e telave elektrikë të zhytur në ujë në Liqenin e Ujmanit.
Sipas komunikatës së përbashkët, deklarata e kryetarit të shoqatës ishte bërë gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje. Ai kishte thënë se telat nëse aktivizohen mund të përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve.
Policia e Kosovës ka intervistuar atë në cilësinë e dëshmitarit dhe ka pranuar gjithashtu një video në lidhje me rastin. Pas kësaj, njësia për kontrollin kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren dhe ka konstatuar se telat e përmendur nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik.




