Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kanë deklaruar se ekonomia e vendit ndodhet buzë greminës.
Ata kanë bërë thirrje urgjente për ndërhyrje në tregun e energjisë për mbijetesën e prodhuesve vendorë.
“Vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), mungesa e kredidhënies për sektorin privat dhe pasiguria institucionale po e dëmtojnë rëndë sektorin prodhues dhe ekonominë në tërësi. Mungesa e stabilitetit institucional dhe vendimmarrja joadekuate kanë krijuar një klimë pasigurie, e cila po ndikon drejtpërdrejt në frenimin e investimeve dhe zhvillimit ekonomik”, thuhet në reagim.




