Bashkimi Europian ka rikonfirmuar angazhimin në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se është duke punuar intensivisht me të dyja palët për arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse që adreson çështjet e pazgjidhura.
Ky reagim i Brukselit vjen pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në një bisedë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar rëndësinë e bisedimeve Kosovë–Serbi dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
“BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin shpejt angazhimet e tyre ndaj Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivave për anëtarësim në BE”, thuhet në një deklaratë nga zyra e shtypit e Komisionit Evropian.




