Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shprehur shqetësimin në lidhje me arrestimin e qytetarit Behar Preniqi, I cili u ndalua në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë, nga autoritetet serbe.
Sipas MPJD-së, ky rast përbën një “tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe”, të cilat, sipas tyre, bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare.
MPJD ka konfirmuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, menjëherë pas kontaktit me familjen e Preniqi, është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast.
“Zyra Ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e z. Preniqi dhe për të sqaruar arsyet e ndalimit të tij. Përveç kësaj, rasti është përcjellë edhe te Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi si dhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it. Në rast se ndaj z. Preniqi vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të kërkuar një vizitë zyrtare në vendin e ndalimit të tij”- ka shkruar MPJD




