Kjo protestë e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës është mbështetur nga një pjesë e madhe e shoqërisë.
Parti politike, Sindikata e shumë organizata tjera kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën.
Partia Demokratike e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën. Ndërkaq nuk ka pasur asnjë reagim nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Deëmokratike e Kosovës.
Mbështetje kësaj proteste i ka dhënë edhe tifogrupi zyrtar i Kombëtares së Kosovës Dardanët.
“Jo vetëm se kreu ynë ka qenë pjesë e lavdishme e UÇK-së, por se lufta e kësaj të fundit ka qenë sublime dhe një nga më të mëdhatë në qindvjeçarin e fundit, Dardanët do ta mbështesin protestën e së enjtes ndaj Gjykatës Speciale, lidhur me zhvillimet e fundit karshi padrejtësisë që po iu bëhet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ftojmë secilin anëtar të Dardanëve që të jetë pjesë e kësaj proteste, në atë mënyrë që të përçojmë mesazh të qartë se qëndrojmë përkrah njerëzve që zgjodhën lirinë e vendit si të vetmen alternative”, thuhet në postim.
Edhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka shprehur mbështetjen për protestën duke bërë thirrje besimtarëve myslimanë të bashkohen në protestë.
Përkrahje protestës i ka dhënë edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, platforma ‘Liria ka Emër’, e shumë organizata e sindikata të tjera.
Si rezultat, OVL e UÇK-së i ka falënderuar të gjithë.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në emër të këshillit organizues ju shpreh mirënjohje të thellë për përkrahjen e jashtëzakonshme që kemi parë ditëve të fundit për protestën paqësore të thirrur për datën 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Interesimi i madh i qytetarëve, i shprehur përmes rrjeteve sociale dhe shumë formave të tjera, është një dëshmi e vetëdijes së lartë qytetare dhe e përkushtimit për drejtësi. Falënderojmë të gjitha partitë politike që e kanë mbështetur publikisht protestën tonë, pjesëtarët e shoqërisë civile që janë bërë zë i arsyes, dhe mediat për hapësirën e ndershme dhe të balancuar që po i japin kësaj thirrjeje. Bashkë, me dinjitet dhe paqë, do të ngremë zërin kundër padrejtësive”, u tha në postim.




