Mbi 530 mijë euro u paguan për 3 muaj për deputetët e legjistraturës së nëntë, që u mblodhën për pak minuta në 54 seanca.
Përveç kësaj, vetëm për muajin qershor, shteti pagoi rreth 77 mijë euro për asistentët e tyre.
Administrata e Kuvendit i ka konfirmuar Radio Kosovës se pagesat e korrikut dhe javës së parë të gushtit nuk janë përfshirë në shpenzimet për paga e asistentëve dhe të deputetëve.
Sipas të dhënave të siguruara për pagat e 120 ligjvënësit që dolën nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për muajin prill u ndan 95 mijë e 633.93 euro, për maj 234 mijë e 998.98 euro, ndërsa për qershor 199 mijë e 907.67 €.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se këto paga nuk janë meritore.
“Këto paga nuk kanë ndonjë rëndesë ekonomike, përkundër gjendjes socio-ekonomike. Në kuptimin etik, po, është e padrejtë që të marrësh pagë pa punuar, “ thotë Jakaj.
Të njëjtën gjë e thotë edhe sociologu Artan Muhaxheri.
“E vetmja gjë e mirë që ka ndodhur gjatë këtyre 4 apo 5 muajve është që u është treguar fytyra e vërtetë këtyre politikanëve, të cilët janë të pa dijshëm, të pa guximshëm dhe të pa moralshëm, “ thotë ai.




