Një konflikt për çështje kanalizimi në Malishevë ka eskaluar në kërcënime dhe përdorim arme, duke çuar në arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e një pistolete me gas.
Rasti është raportuar më 10 gusht 2025, rreth orës 14:00, në rrugën “Ibrahim Mazreku”.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se palët e përfshira – Halil Mazreku rreth 48-vjeçar, Enver Mazreku rreth 49-vjeçar dhe Bali Mazreku rreth 20-vjeçar kishin një mosmarrëveshje të mëhershme për kanalizimin, e cila u shndërrua në përleshje me kërcënime dhe të shtëna.
Në vendngjarje policia ka gjetur 7 gëzhoja dhe 4 fishekë që dyshohet t’i përkasin një pistolete me gas.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Vetëgjyqësi”, “Kanosje”, “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. I dyshuari Enver Mazreku dhe i dyshuari Bali Mazreku janë ndaluar për 48 orë dhe dërguar në Qendrën e Mbajtjes.




