Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta konkretizuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin e nënshkruan në letër para rreth pesë muajsh nga ministrat e mbrojtjes më 18 mars në Tiranë.
Ministritë e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe të ekspertëve po punojnë për planin e zbatimit të deklaratës.
Ministri në detyrë i Mbrojtjës së Kosovës Ejup Maqedonci thotë se kjo marrëveshje u mirëprit në Pentagon, kur ai zhvilloi një vizitë në SHBA në muajin qershor të këtij viti.
“E kanë parë si një mundësi të mirë të bashkëpunimit regjional për të adresuar sfidat”, thotë ai, duke shtuar se mbështetje kanë marrë edhe nga shumë shtete të NATO-s, pa specifikuar se për cilat shtete bëhet fjalë.




