Profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, tha se pesë vrasjet e ndodhura brenda dy-tre ditëve të fundit në Kosovë përbëjnë një shqetësim serioz dhe janë një alarm për mobilizimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se çdo humbje jete është e madhe dhe e parandalueshme.
“Çdo humbje e jetës së një njeriu është humbje e madhe. Është e pakuptimtë që të vriten njerëzit mes veti për motive të ulëta, siç ishte rasti i Prizrenit, që nga një përleshje e qenve ka acaruar, degjeneruar raporti deri te vrasja. Apo te rasti i vrasjes së trefishtë në Gjilan që është tmerr, dukuri e rëndë, sepse dukuria e fajdes është prezente në shumë vende të Kosovës dhe si e tillë është koha e fundit që institucionet t’i thonë stop atyre që për motive pasurore kryejnë këtë veprimtari kriminale të dënuar me ligj”, tha ai.
Por, këto ngjarje, sipas tij, duhet të shihen si një sinjal i qartë për veprim të koordinuar.




