Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, ka njoftuar sot punëtorët e transmetuesit publik për gjendjen e rëndë financiare, ndërkohë që ka bërë të ditur se menaxhmenti i RTK-së i është drejtuar Ministrisë së Financave për një kredi, me qëllim tejkalimin e situatës financiare, teksa shpreson se shumë shpejt ajo do të realizohet. Ai shtoi se në pamundësi për të komunikuar drejtpërdrejt me Kuvendin e Kosovës janë drejtuar të Qeveria e Republikës së Kosovës, ku janë shqyrtuar të gjitha mundësitë që të tejkalohet situata.
“Gjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar alternativa të shumta, derisa kemi arritur bashkërisht te një modalitet i ligjshëm që mundëson ndihmën e Qeverisë për RTK-në deri në konstituimin e Kuvendit. Kërkesa jonë zyrtare për kredi është dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe ajo po trajtohet me prioritet. Presim që shumë shpejt ajo të realizohet, në mënyrë që ne të vazhdojmë normalisht punën tonë.” u shpreh Hundozi.





