Gjykata Themelore në Prishtinë i’a ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit për krime lufte në Vushtrri, Sinisha Spasiqit.
“S.S. dyshohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervsit aktiv me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë”, bëri të ditur gjykata.
Sinisha Spasiq u arrestua të dielën në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Sipas njoftimeve nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ai dyshohet për përfshirje në krime të kryera më 6 prill 1999 në komunën e Vushtrrisë, në rajonin e Mitrovicës.





