Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet S.S., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile.”
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, S.S. dyshohet se, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervsit aktiv me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë.





