Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, pas dështimit të zgjedhjes së saj dhe të Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit, tha se nuk ka qenë problem emri i saj, por problemi është me Vetëvendosjen, raporton Ekonomia Online.
“Besoj që sot jeni bindur që nuk ka qenë problem emri im. Problemi është me VV-në, pra opozita bashkë me Listën Serbe, sepse sot edhe një herë u dëshmua që PDK, LDK, AAK, Lista Serbe janë bashkë. Pra ata në vazhdimësi kanë qenë bashkë dhe sot u dëshmua që janë bashkë”, shtoi Haxhiu.
Haxhiu tha se për bashkëpartiaken Donika Gërvalla kanë menduar se do të kalojë si propozim për shkak të bashkëpunimit dhe partneritetit të shkëlqyer por tha se opozita nuk dëshiron që ta ndryshojë qëndrimin e tyre.
“Propozimi i dytë i Vetëvendosjes ishte Donika Gërvalla dhe ne nuk e propozuam vetëm rastësisht. Donika Gërvalla së pari është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe besoj që kjo duhet të këtë rëndësi për të gjithë, sepse janë votat e qytetarëve që kanë përcaktuar këtë rezultat.”, duke shtuar se beson që kurdo që ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme, do ta marrin goditjen e qytetarëve të Kosovës ata të cilët nuk e votuan sot propozimin e dytë të VV-së.




