Deputetja nga AAK, Time Kadrijaj, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Kadrijaj ka thënë se LVV po propozon kandidatë që sërish nuk e sigurojnë shumicën parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Do ta shihni në vazhdim që do të propozojnë figura të tilla që nuk e kanë përkrahjen e partive opozitare dhe të deputetëve veç e veç, përveç deputetëve që janë bashkë me LVV. Ne kemi ofruar alternativa, edhe pse e ka theksuar Kushtetuesja se ne s’e kemi obligim të votojmë kandidat”, ka thënë ajo.
Ajo poashtu ka thënë se kjo seancë ish dashur të nis me kërkimfalje nga LVV dhe Dehari për shkak se kanë shkelur Kushtetutën.
“Kjo seancë është dashur të fillojë me kërkimfalje, për shkak se e kanë shkelur Kushtetutën Dehari dhe LVV. Ju e patë se nuk kishte as ndjesë e as keqardhje që për 6 muaj po e mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ajo, pas dështimit të 55-të të seancës konstituive.




