Nga 16 gushti, shumë biznese janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta nga njohës të ekonomisë.
Ekspertët paralajmërojnë pasoja serioze në aktivitetin ekonomik, humbje milionëshe, mbyllje të fabrikave dhe rrezik për vendet e punës.
Eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, ka paralajmëruar për pasoja serioze ekonomike si rezultat i ndërprerjes së energjisë elektrike për bizneset, veçanërisht në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve.
“Bizneset që kanë mbetur pa rrymë tash e tri ditë, sidomos në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, janë duke pësuar humbje të konsiderueshme. Varësisht nga madhësia e biznesit, këto humbje mund të jenë nga mijëra deri në qindra mijëra euro në ditë. Disa biznese janë detyruar të ndalojnë tërësisht prodhimin ose operimin, duke sjellë dëme direkte në të ardhurat e tyre dhe të punonjësve”, u shpreh ai.




