Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve Xhavit Jashari, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për të vendosur kufizime në vizitat ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në konferencën për media që u mbajt sot nga OVL të UÇK-së, Jashari e ka quajtur vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë si një vazhdimësi të një qasjeje të padrejtë dhe politike ndaj luftës së UÇK-së. Sipas kryetarit të SHFD-së kjo gjykatë është themeluar mbi shpifjet e Dick Martyt dhe ka pasur gjithmonë si qëllim goditjën e luftës çlirimtare.
“Ne si organizatë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në luftën e lavdishme të UÇK-së e kemi ditur që kjo gjykatë, edhe krijimi edhe themelimi i saj, ju kemi drejtuar disa herë edhe Këshillit të Evropës dhe të raportit të Dick Martyt. Me shpifjen e tij është krijuar kjo gjykatë. Kjo është gjykatë politike, e njëanshme dhe nuk merret me drejtësi.Target dhe sulm ka qenë vetëm lufta çlirimtare e UÇK-së, ani pse institucionet tona kanë dashur t’i japin hapësirë duke menduar se kjo gjykatë do të vlerësojë drejtë, por ka ndodhur e kundërta dhe gjithë këto procese ne i kemi kundërshtuar sepse i kemi paraparë”.
Tutje ai ritheksoi mbështetjen për protestën që do të mbahet më 14 shtator në Hagë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga diaspora dhe qytetarët, për të dëshmuar përballë institucioneve ndërkombëtare se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se padrejtësitë duhet të ndalen.




