Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk ia lejojnë ish-Presidentit Hashim Thaçit, që ta apelojë vendimin për ndalimin e 11 personave që ta vizitojnë atë në objektin e paraburgimit në Hagë.
Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, e cila tha se në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot kishte thënë se kishte vlerësuar qartë nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve dhe ndalimi i vizitave të tyre ishte i domosdoshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Më 18 gusht, gjykatësja e procedurës paraprake, rrëzoi kërkesën e z. Thaçi për apelimin e vendimit të saj. Gjatë trajtimit të pikave të ngritura në kërkesën e mbrojtjes, gjykatësja bëri të qartë se kishte vlerësuar nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve ashtu edhe nëse ndalimi i vizitave të këtyre personave ishte i domosdoshëm dhe proporcional, për të zvogëluar rrezikun e zbulimit të paligjshëm të informacionit konfidencial”, tha Griep.




