Presidenti Amerikan Donald Trump në një postim në Truth Social ka deklaruar se “është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh në një luftë pa sulmuar vendin agresor”
Është si një ekip i shkëlqyer në sport që ka një mbrojtje fantastike, por nuk lejohet të luajë në sulm. Nuk ka shanse për të fituar! Kështu është me Ukrainën dhe Rusinë. Joe Biden, i pandershëm dhe tepër i paaftë, nuk do ta linte Ukrainën të LUFTOJË, por vetëm të MBROHET. Si funksionoi kjo? Sidoqoftë, kjo është një luftë që NUK do të kishte ndodhur KURRË nëse unë do të isha President – ZERO SHANS. Kohë interesante na presin!!! – shton Trump.
Sipas shkrimit të reuters, Trump tha se ende beson në mundësinë e një marrëveshjeje paqeje, por me lëshime territoriale nga ana e Ukrainës, të cilat Kievi deri tani i ka refuzuar kategorikisht.
Pas takimit që patën në Uashington me krerët e BE-së dhe sekretarin e NATO-s, Zelensky deklaroi se Ukraina do të përfundojë deri në fund të javës propozimin e saj për garanci sigurie. Ai theksoi se bëhet fjalë për një model të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, sipas të cilit sulmi ndaj një vendi trajtohet si sulm ndaj të gjithë.





