Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi sot se më 14 shtator 2025, në orën 14:00, do të organizohet një protestë paqësore para Gjykatës Speciale në Hagë, me iniciativë të bashkëluftëtarëve nga mërgata, ka raportuar Ekonomia Online.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në konferencë për media, tha se protesta ka për qëllim të kundërshtojë padrejtësitë që, sipas tij, po ndodhin ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.
“Me iniciativën e bashkëluftëtarëve tanë që jetojnë në mërgatë, njërin nga ta e kemi këtu, Fatmir Koci, Ukë Lushi që jeton në Amerikë dhe disa të tjerë. Më 14 shtator 2025 do të mbahet një protestë në qytetin Hagë në Holandë, para Gjykatës Speciale, në orën 14:00”, tutje ai shtoi se OVL-UÇK-së i kanë dhënë mbështetjen e plotë dhe se janë se bashku me mërgatën në organizim. Gucati i’u bëri thirrje të gjithë mërgimtarëve që të marrin pjesë në këtë protestë paqësore kundër padrejtësive që po ndodhin në Gjykatën Speciale.
Fatmir Koci, përfaqësues i mërgatës bëri thirrje institucioneve dhe qytetrëve të bashkohen për të mbrojtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës së UÇK-së. Duke shtuar se tani janë në pritje të konfirmimit të lokacionit nga autoritetet holandeze.
“Tashmë e dinë të gjithë për padrejtësitë që po i bëhen popullit tonë në Hagë. Atje nuk po gjykohen individë, por po gjykohet lufta jonë e drejtë për liri dhe vetë shtetësia e Kosovës. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha institucioneve, partive pa dallim ngjyrash dhe çdo shqiptari në diasporë që më 14 shtator të jemi bashkë para Gjykatës në Hagë. Të tregojmë se Kosova nuk pranon më padrejtësi në emër të drejtësisë. Luftën e kemi fituar me gjakun e dëshmorëve dhe përkrahjen e miqve tanë dhe do ta fitojmë edhe këtë betejë për dinjitet dhe të vërtetën”, tha Koci.




