Sot përsëri dështoi seanca konstituive e Kuvendit, kurse partitë vazhdojnë me akuza kundrejt njëra-tjetrës.
Sot në ora 11:00 u mblodhën në Kuvend, deputetët e dalur nga zgjedhjet e shkurtit 2025, për të tentuar konstituimin e Kuvendit.
Pas dështimit të Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës, Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe e dalur nga zgjedhjet duhej të propozonte një kandidat tjetër.
Propozimi i kësaj partie ishte Ministri në detyrë I Financave Hekuran Murati, deputetët filluan të qeshin.
Në seancë nga 115 deputetë të pranishëm, 57 votuan për, 52 kundër dhe 7 abstenime.
Pas dështimit tjetër, këtë rradhë të Hekuran Muratit, seanca u ndërpre dhe u njoftua se do të vazhdon me 24 gusht nga ora 11:00
Pas daljes së deputetëve nga Kuvendi, filluan deklaratat për media nga disa deputetë.
Në ato deklarata filluan akuzat mes partive.
Albulena Haxhiu, deputete e partisë më të madhe në Kuvend akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm të konstituimit të Kuvendit dhe Qeverinë Kurti 3
“Çështja nuk është te një emër, çështja është se opozita po dëshiron që ta kthejë situatën para 14 shkurtit të vitit 2021 dhe jo që të vazhdojë qeverisja e mirë pas vitit 2021 e tutje. Ata po bëjnë çmos për të penguar konstituimin e Kuvendit, për të penguar Qeverinë Kurti 3. Për bindjen time kjo është një opozitë e çoroditur, sepse në vend që të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të na sfidojnë me pyetje parlamentare, me debate, me projektligje, këta e mbajnë peng Kuvendin e Kosovës. Për mua si ministre në detyrë është e rëndësishme që t’i jap llogari Kuvendit të Kosovës”, tha Haxhiu.
Memli Krasniqi, kreu i PDK-së akuzoi partinë e parë se po e zvarrit qëllimshëm konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas Krasniqit, LVV vetëm po vijnë në seancë për të humbur kohë dhe për të zvarritur 30-ditëshin e caktuar nga Kushtetuesja, që të thellojnë krizën institucionale.
“Nëse dikush ka pasur dyshimin më të vogël që VV-ja ka pasur përpjekje të vërtetë, u bë e qartë se një gjë e tillë u vërtetua. Vetëm po vijnë në seancë për të humbur kohë dhe për të zvarritur këtë 30-ditësh, për të hyrë në thellim të krizës. Me vetëdije nuk po dëshirojnë të konstituojnë ministrat. Nuk kanë shans të marrin vota”, tha Krasniqi.
Reagime pati edhe nga krerët e deputetët e partive tjera opozitare.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se nuk duhet të mbahet sekret emri i kandidatit deri në seancë.
“E kisha kuptuar nëse bëhet fjalë për drejtorin e AKI-së. Por të mbahet sekret kandidatura deri në seancë edhe prej deputetëve është shumë e palogjikshme dhe ofenduese ndaj Kosovës”, tha Haradinaj.
Nënkryetari i LDK-së dhe deputeti, Lutfi Haziri, vlerësoi se vendi ndodhet në një ngërç serioz dhe kërkoi ndërtimin e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte zgjedhjen e organeve institucionale.
Duhet punuar shumë që një marrëveshje politike të bëhet realitet dhe të debllokohet kjo ngufatje institucionale, sepse Kosova sot nuk ka as Kuvend, as Qeveri, s’ka legjitimitet të plotë as pushteti lokal. Për disa javë apo muaj as Presidentja nuk do ta ketë funksionin. Kosova hyn në një gropë të zezë institucionale, e cila nuk mund të parashikohet”, tha Haziri.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe deputeti, Fatmir Limaj, tha se është normale që një kryetar Kuvendi, i cili ka shumicën, të trajtohet me respekt dhe seriozitet, ashtu siç ka qenë gjithmonë, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se kjo duhet të ndodhë edhe disa ditë përpara votimit.
Limaj gjithashtu përmendi se shtimi i numrit të abstenuesve është një zhvillim pozitiv në situatën aktuale.“Po shtohet numri i abstenuesve. Mirë është puna”, tha ai.




