Përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë politikë kanë paralajmëruar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, rrezikon thellimin e krizës institucionale dhe mund të detyrojë partitë politike, që të dërgojnë çështjen sërish në Gjykatën Kushtetuese, për të sqaruar çfarë do të ndodhë pas 30 ditëve.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se secili deputet dhe çdo parti politike duhet të japë maksimumin për të ndërmarrë veprime që të konstituohet Kuvendi dhe të hapet rruga për formimin e Qeverisë.
“Kur ka mungesë të theksuar të lidershipit, vullnetit politik për zhbllokim dhe krejt resurset, krejt mundësitë shkojnë drejt bllokadës, atëherë në njëfarë mënyre sjellin në një situatë, ku jam i sigurt që nëse VV-ja brenda 30 ditësh nuk e konstituon Kuvendin mund të dërgohet lëndë e re në Gjykatën Kushtetuese, ku Kushtetuesja nuk do të ketë mundësi tjetër përveç se të shpjegojë tanimë abuzimin me të drejtën”, tha Miftaraj.
Miftaraj paralajmëroi se nësë Lëizja Vetëvendosje nuk propozon një kandidat për kryetar/e të Kuvendit që votohet nga partitë, partitë e opozitës do të detyrohën pas 20-25 ditësh, të ndërmarrin masa dhe të dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.




