Sot në mëngjes, zyrtarët e shërbimit votues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë nisur javën e fundit të shqyrtimit të aplikimeve për regjistrimin e shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës për të votuar me postë në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri më 24 gusht, përmes platformës diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 26,480 aplikime për regjistrim për votim me postë, nga të cilat janë aprovuar 21,291, ndërsa 5,186 janë refuzuar.
Sipas KQZ-së, arsyeja më e shpeshtë e refuzimeve është mungesa e dokumenteve që dëshmojnë adresën e aplikuesve jashtë Kosovës. Secilit aplikues i është dërguar një njoftim me arsyet e refuzimit dhe mundësinë për të riaplikuar duke plotësuar kushtet e nevojshme.
“Afati për regjistrim do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht”, ka sqaruar Elezi.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit 2025, kur ishin regjistruar rreth 105 mijë votues nga diaspora, interesimi për këto zgjedhje është më i ulët. Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, numri i të regjistruarve është më i lartë.




