Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), Departamenti i Kufirit, më datë 24.08.2025, ka ndërmarrë një veprim të suksesshëm operativ në pikën e kontrollit afër pikëkalimit kufitar Kosovë–Serbi (Jarinjë), ku është ndaluar një autobus me targa (NP), i linjës Mitrovicë–Beograd.
Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Republikës së Kosovës.
Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës tregojnë një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve.
Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., kanë tentuar të shmangin përgjegjësinë, por provat dhe verifikimet tregojnë përfshirje direkte në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme.




