Analisti politik, Arbnor Sadiku ka thënë se ndryshimet e kandidaturave nga Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit janë një lajm i mirë, pasi kanë ndikuar që një pjesë e opozitës të ndryshojë qëndrim dhe të shkojë drejt votimit ose abstenimit.
Ai ka shtuar se kjo qasje mund të çojë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit brenda një periudhe të shkurtës kohore, gjë që sipas tij është e dobishme për të gjitha partitë politike.
“Nëse flasim për aspektin kualitativ të propozoimit të kandidatëve sigurisht që kanë lënë shumë për të dëshiruar. Por nëse flasim në aspektin e ndryshimit të kandidaturave është një lajm i mirë. Sepse edhe vetë fakti që kemi pasur tre kandidatë të ndryshëm për tri seanca ka bërë që opozita një pjesë e tyre të ndryshojnë qëndrim që të votojnë dhe një pjesë e tyre të abstenojnë. Që është një lajm i mirë që nëse vazhdon VV-ja me ndryshim të kandidaturave gjasat janë të mëdha që të kemi një kryetar të Kuvendit në një periudhë të shkurtër. Kjo do të ishte mirë jo vetëm për partinë në pushtet por edhe për opozitën,” ka deklaruar Sadiku.
Ai ka shtuar se Kosova ka humbur në vazhdimësi për shkak të vonesave politike dhe se përgjegjësia për zgjidhje i takon Vetëvendosjes si partia e parë, ndërsa opozita duhet të jetë më e qartë dhe e unifikuar në vendimmarrje. Ai ka kritikuar gjithashtu opozitën, veçanërisht PDK-në, për mungesë të vendimmarrjes dhe lidershipit.




