Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili obligoi KQZ-në që ta certifikojë Litën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.
Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të KQZ-së kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe. Bazuar në nenin 63 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, anëtarët e KQZ-së kanë të drejtën ekskluzive ligjore të votojnë për çështje që lidhen me procesin zgjedhor.
“Në rastin konkret, neni 17 i LZP-së përcakton shqyrtimin e aplikimeve për certifikim. Konkretisht paragrafi 4 i këtij neni jep të drejtë anëtarëve të KQZ-së që të miratojnë apo të refuzojnë certifikimin e një subjekti politik. Anëtarët e KQZ-së kanë zbatuar nenet përkatëse të cilat i japin diskrecion të plotë lidhur me votimin për apo kundër një certifikimi të një subjekti politik”, thuhet në ankesën e VV-së.
Lista Serbe vendosi të garonte në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.
Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.





