Ambasadori turk në Kosovë, Tunç Angili, ka bërë të ditur se investimet turke në Kosovë kapin shifrën mbi 500 milionë euro dhe gjenerojnë mbi 10 mijë vende pune, ndërsa tregtia dypalëshe afrohet në 1 miliard euro.
Në një intervistë për Telegrafin, Angili tha se Turqia synon të bëjë bashkëpunim ekonomik më të balancuar përmes projekteve të përbahkëta, duke përfshirë edhe idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike në Kosovë, ku investitorët do të prodhonin për tregun e BE-së, Ballkanin dhe SHBA-të.
“Aktualisht kemi mbi 500 milionë euro investime turke në Kosovë, të cilat gjenerojnë mbi 10 mijë vende pune. Tregtia dypalëshe arrin rreth 1 miliard euro. Por duam ta bëjmë më të balancuar përmes projekteve të përbashkëta investive.”, deklaroi ambasadori turk.
Vitin e kaluar u mbajt forumi i parë ekonomik Kosovë–Turqi në Stamboll, me pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti dhe ministrit turk të tregtisë. Ai shtoi se duan që edicioni i dytë të mbahet këtë herë në Prishtinë, për të krijuar një kornizë institucionale të bashkëpunimit mes bizneseve.




