Analisti Shenoll Muharremi, ka reagur pas dorëheqjes së Liburn Aliut nga posti i ministrit në detyrë të Infrastrukturës, duke e cilësuar këtë zhvillim si tregues i krizës së brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe rënies së saj në kurthin e lakmisë për pushtet absolut duke shtuar se kanë humbur rrugën.
“Një parti që dikur fliste për demokraci dhe ideale sot është shndërruar në makineri autokratike, pa frymë të brendshme demokratike, pa konsultime cilësore dhe pa busull morale”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka akuzuar LVV-në se ka braktisur idealet për të cilat ishte formuar, duke u marrë me kapjen e bordeve e institucioneve publike, vendosjen e militantëve, ndërhyrje politike në RTK si dhe sulme ndaj ekonomisë e bizneseve.
“Liburni nuk është i pari e as i fundit që e ka lënë Kurtin. Shumica e njerëzve me integritet, vlera dhe shkathësi janë larguar. Aty kanë mbetur kryesisht ata që nuk guxojnë ta sfidojnë liderin edhe kur ai gabon”, shtoi ai.
Muharremi vlerësoi se sot LVV është e njohur si parti e përçarjes, polarizimit dhe populizmit të rrezikshëm, duke mos treguar kapacitete për qeverisje apo vizion për të ardhmen.





