Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, kanë shprehur shqetësimin e thellë ndaj faturave të energjisë së muajve të fundit për bizneset.
Këto dy organizata kanë ngritur zërin publikisht se dalja e detyrueshme e bizneseve në tregun e lirë të energjisë do të rezulton me çmime të papërballueshme për bizneset.
Sipas tyre sot fatkeqësisht po vërtetohet ajo që këto dy organizata kishin paralajmëruar më herët, sot bizneset që kanë dalur në tregun e lirë të energjisë kanë paguar 162 €/Mwh në qershor 2025 dhe 203 €/Mwh në korrik 2025. Po në të njëjtën periudhë, konsumatorët me furnizim të rregullt kanë paguar vetëm 65-75 €/Mwh.
OEK thekson se në periudhën e verës kur normalisht pritet ulje e çmimeve, faturat e prodhuesve janë rritur në nivel rekord.
Sipas OEK, kjo ngre alarmin se në periudhën e dimrit kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të arrijnë të kalojnë 300 €/Mwh, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme si: mbyllje të fabrikave, humbje të mijëra vendeve të punës, rrëzim të prodhimit vendor dhe rritje të importeve.





