Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka komentuar raportimet e fundit rreth një artikulli të shkruar kohë më parë nga kryetari aktual i Kuvendit, Diaml Basha, ku përmendet UÇK-ja.
Krasniqi ka shkruar se nësë është dikush që e ka pasur mënyrë jetese demonizmin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj, ai është Albin Kurti.
“Kryekuvendari i ri, me artikullin e tij morbid kundër UÇK-s, i cili doli dje në pah, vetëm sa e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti. Kjo edhe mund të jetë formula e tyre e brendshme”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i PDK-së ka sqaruar sërish votimin e kryeparlamentarit Dimal Basha, duke shtuar se vota e tyra nuk ka qenë për individin por për të mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, me qëllim të dhënies fund bllokadës institucionale.
“Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij – ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit. Ndërsa, sa për PDK-në, partinë që e pasoi UÇK-në, pavarësisht gjithçkaje e çdo zhurme, do ta mbrojmë me çdo kusht, si çdo herë tjetër, luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës”, tha Krasniqi.





