Nga një muaj paraburgim u është vendosur pilotit kroat dhe të dashurës së tij, serbe nga Kosova, për dyshimet për spiunazh, ka vendosur Gjykata e Qarkut të Splitit.
Ata janë lënë në paraburgim për shkak të mundësisë së ndikimit mbi dëshmitarë dhe rrezikut të shkatërrimit të provave, thuhet në vendimin e masës së gjykatës. Serbja e dyshuar është lënë në mbajtje për shkak edhe të rrezikut për arrati meqë në Kroaci është shtetase e huaj, raportoi media kroate “Index”.
Të dy janë intervistuar të mërkurën, ndërsa rasti i tyre po hetohet nga policia dhe Europoli. Dyshimet janë se piloti kroat derisa ka shërbyer edhe në KFOR, i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka dhënë ato Listës Serbe.




