Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se e arrestuara nga autoritetet kroate nën dyshimet për spiunazh për Serbinë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale nga Zyra e Kryeministrit.
”Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar.
Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit.” – ka shkruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.




