Avokati Arianit Koci përmes një postimi në Facevook ka komentuar situatën e kuvendit që do të mbahet nesër.
Ai shkruan se nesër është një provë e rëndësishme: zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Koci për Nenad Rashiq shkruan se është i vetmi kandidat që i mbron interesat e komunitetit të tij por që e njeh dhe e pranon shtetin e Kosovës.
“Kjo kandidaturë vjen pas dy raundeve të dështuara, dhe nesër ai hyn në të tretin – që është edhe i fundit.
Nga ana tjetër, edhe vetë procedura është e rregullt dhe nuk ka asnjë pikë të dobët.
Partitë kanë marrë pjesë në votime dhe me këtë e kanë pranuar procesin. Madje edhe Lista Serbe ka propozuar dhe ka votuar, duke e bërë legjitimimin procedural të plotë.
E këtu qëndron ironia: duke mos e ndërruar kandidatin tri herë me radhë, vetë Lista Serbe e ka krijuar këtë situatë. Pa e menduar, ia ka dhënë Rashiqit mundësinë të futet në short dhe të ketë shansin real për t’u bërë nënkryetar.
Prandaj, sot çdo debat juridik është i tejkaluar.
Nuk ka shkelje kushtetuese, nuk ka pengesë procedurale. Ka mbetur vetëm një pyetje politike: a do të dalin disa deputetë nga PDK, LDK dhe AAK për ta mbështetur Rashiqin dhe për ta funksionalizuar Kuvendin.
Nëse ata japin votat, Kuvendi bëhet funksional dhe bllokada merr fund. Nëse refuzojnë, atëherë është e qartë se preferojnë një Kuvend të bllokuar.
Për më tepër, këtu fshihet edhe rreziku më i madh: duke u toleruar kjo sjellje, Lista Serbe fiton një instrument të rrezikshëm – mundësinë për ta mbajtur peng konstituimin e Kuvendit sa herë që i leverdis.” shkruan Koci.
Sipas Kocit nëse një parti arrin ta bllokojë Kuvendin përmes mosndryshimit të kandidatit, atëherë Kuvendi mund të mbetet i papërfunduar për një kohë të gjatë.




