Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me artikullin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Dimal Basha, kundër UÇK-së.
Kurti ka kritikuar qeveritë e kaluara, duke thënë se janë vendimet e qeverive që i kanë shkakatuar probleme Kosovës dhe se të tilla nuk mund t’i shkaktojë artikulli me bashkautor Bashën.
“Unë besoj që problemet që i kemi sot në Kosovë nuk i kemi nga një deformim e keqinterpretim i një artikulli me bashkautorësi ku ky nuk është autor i atij kapitulli të para më shumë se një dekade. Problemet i kemi kur është nënshkruar ‘Zajednica’ në 2013-tën, problemet i kemi kur janë amnistuar kriminelët serbë në veri, po astu në 2013-tën, problemet i kemi kur është votuar Gjykata Speciale në 2015-n, problemet i kemi kur është themeluar Lista Serbe në bashkëpunim me Beogradin në vitin 2013, problemet i kemi politikanët e Kosovës kanë bërë qeveri duke u varur nga Lista Serbe, problemet i kemi kur kanë hyrë në pazare për ndarje të Kosovës – jo te ky farë artikulli ku manipulohet një kre, në të cilin ky s’ka fare autorësi”, tha Kurti .
Tutje Kryeministri në detyrë tha se ky shkrim është një keqinterpretim dhe deformim, duke shtuar se Dimal Basha e ka dhënë sqarimin për publikimin që është bërë para më shumë se një dekade.
“Ai ka thënë se kapitulli që e ka shkruar nuk ka të bëjë me UÇK-në. Edhe në fjalimin e tij pas zgjedhjes si kryetar Kuvendi, ai shprehu vlerësimet më të larta për këtë vlerë të kombit shqiptar”, tha Kurti.




