Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas përmbylljes së seancës konstitutive nga Vetëvendosje, e cila shpalli Kuvendin “të konstituar”, duke vlerësuar se moszgjedhja e një anëtari serb në kryesinë e Kuvendit nuk mund të konsiderohet e ezauruar.
LDK thotë se Kuvendi nuk mund të funksionojë dhe të marrë vendime pa përmbushur më parë procesin e konstituimit.
“Çdo tentim për të interpretuar ndryshe apo për të anashkaluar këto dispozita themelore përbën shkelje të rendit kushtetues dhe cenim të parimeve demokratike mbi të cilat mbështetet shteti ynë. Kuvendi nuk mund të funksionojë dhe të marrë vendime pa përmbushur më parë procesin e konstituimit, siç e përcaktojnë qartë Kushtetuta, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.





