Në një konferencë për media të mbajtur sot, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka akuzuar qeverinë e Maqedonisë së Veriut se minon themelet e Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmat kushtetues që garantojnë barazinë dhe stabilitetin në vend.
Ademi tha se nga “Balancuesi” te “Badenteri”, veprimet e qeverisë përbëjnë një “atentat të përsëritur” mbi frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Ai theksoi se deklaratat e përfaqësuesve qeveritarë për “rishikimin” e shumicës së Badenterit nuk janë lapsus politik, por pjesë e një plani të qëllimshëm për të dobësuar mekanizmat mbrojtës të përfaqësimit multietnik.
Sipas tij, qeveria dhe partnerët e saj, që nga fillimi i mandatit, kanë ndjekur një agjendë të rrezikshme duke: shfuqizuar Balancuesin; mosrespektuar ligjin për gjuhët; ulur numrin e këshilltarëve në komuna; përjashtuar diasporën nga përfaqësimi politik, dhe; dorëzuar implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në duart e figurave me qëndrime antishqiptare.
“Fillimisht u injorua vullneti politik i shqiptarëve, më pas u ndalua flamuri kombëtar, u sulmua gjuha shqipe, u hoq Balancuesi. Tani po synohet të hiqet edhe votimi me Badenter”, deklaroi Ademi.
Tutje Ademi paralajmeroi se çdo tentativë për shfuqizimin e këtij mekanizmi pas zgjedhjeve so të ishte kthim pas, drejt padrejtësive dhe përjashtimit. Duke akuzuar se partia shqiptare në pushtet, VLEN, po mbron kolltukun e saj dhe jo Marrëveshjen e Ohrit.




