Pas marrjes së lejeve për disa dëshmitarë amerikanë, jozyrtarisht diplomatë të njohur, mbrojtjes së Thaçit Britania ia ka konfirmuar lejen për një dëshmitar.
Gjykata Speciale në Hagë po hyn në një fazë të re nga 15 shtatori, kur mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi pritet të fillojë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj.
Por, kjo fazë do të ketë një element krejtësisht të veçantë: pritet prani e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sallën e gjyqit.
Më 18 gusht, ekipi mbrojtës i Thaçit mori miratimin nga SHBA-të për dëshminë e dëshmitarit të koduar “1DW-003” – një figurë e mbajtur ende në anonimitet për publikun, por e njohur për trupin gjykues. Nuk mbaron këtu: amerikanët kanë vendosur një listë të gjatë kushtesh për mënyrën se si ky person do të dëshmojë.
Këto zhvillime nënvizojnë rolin vendimtar të SHBA-ve në procesin e Hagës, jo vetëm si vëzhgues nga jasht, por tashmë edhe si garantues të kushteve mbi të cilat dëshmitarë kyç do të flasin. Një realitet i cili i jep garancione shtesë procesit.




