Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), Agrokosova Holding dhe komuna e Suharekës kanë organizuar aktivitetin tradicional “Vjelja e rrushit- Kosova 2025”, ku u theksua rëndwsia e fuqizimit të prodhuesve vendor dhe nevoja për mbështetje më të madhe institucionale.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se Suhareka është shndërruar në një stacion të madh për prodhuesit vendorë dhe investitorët e huaj, duke theksuar rëndësinë që ka rrushi i Kosovës në tregun ndërkombëtar.
“Kanë nevojë më shumë mbështetje, por goditjet e fundit me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe daljen në treg të prodhuesve vendor ka goditur rëndë dhe ka shtrenjtua shumë produktet vendore por edhe shërbimet vendore. Edhe ky prodhues sot është prekur nga tregu i lirë, siç thuhet, por ai është tregu i shtrenjtë”, tha Shahini.
Pronari i Agrokosova Holding, Aziz Tafaj, theksoi se cilësia e rrushit këtë vit është shumë e lartë pavarësisht sfidave klimatike dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se tradita e prodhimit të rrushit është një nga pasuritë kryesore të komunës që po zhvillohet çdo ditë e më shumë.
“Po më vjen mirë që Suhareka po ndryshon për çdo ditë e më mirë. Suhareka ka traditë mijëra vjeçare për sa i përket rrushit, është një vend karakteristik. Ka cilësinë më të mirë jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Sot është ditë me rëndësi, kemi dy procese, kemi vjeljen e rrushit dhe fillimin e procesit mësimor”, tha Muharremaj.





