Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka deklaruar se presidentja e Kosovës nuk duhet t’i kërkojë Lëvizjes Vetëvendosje mandatarin për formimin e qeverisë, por duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse janë shkelur parimet kushtetuese dhe garancitë për komunitetin joshumicë në vend, me rastin e votimit për nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se Lista Serbe tashmë ka dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë ka afat 60 ditë për të vendosur.
“Lista serbe ka dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata i ka afat 60 ditë për të vendosur për rastin, ndërkohë për rastin e njëjtë do të duhej të aktivizohej edhe presidentja e Kosovës që të dërgoj rastin e njëjtë në Kushtetuese për arsye se ajo është vendosur para një dileme të kërkoj VV-së t’ia dërgojë mandatarin për qeveria apo jo.”, shtoi Jakaj.
Jakaj ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, se ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit në procedimin e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë.
“Kryetari Basha e filloj mbarë punën e Kuvendit të Kosovës duke kërkuar nga tre partitë parlamentare shqiptare VV-PDK-LDK duke kërkuar që ata të votohen në mënyrë të përnjëhershme, në pako. Në ndërkohë ai bëri shkelje kushtetuese duke kërkuar nga komunitete jo shumicë që votimi për nënkryetarë nga këto komunitete të votohet në mënyra ndarazi jo në pako.”, tha Naim Jakaj.




