Gazetarja sportive e njohur, Qeqa Krelani, është vlerësuar sot nga Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, me një mirënjohje të veçantë për kontributin e saj në promovimin e sportit dhe vlerave sportive.
Krelani u shpreh thellësisht mirënjohëse për këtë mbështetje dhe vlerësim, duke theksuar se këtë çmim e ndan me të gjithë kolegët e saj gazetarë, me sportistët dhe sidomos me vajzat e gratë që guxojnë të sfidojnë barrierat në fushën e gazetarisë sportive.
Ajo vlerësoi edhe rolin e kryetarit Muharremaj, të cilin e cilësoi si një lider që ka ngritur zërin dhe ka qëndruar pranë fuqizimit të femrës në këtë fushë. Sipas saj, sporti dhe mediat sportive nuk kanë gjini – kanë vetëm pasion, punë dhe përkushtim.
Duke e lidhur këtë moment me sukseset historike të FC Ballkanit, Krelani tha se Suhareka dhe gazetaria sportive në Kosovë kanë përjetuar periudha të jashtëzakonshme, të mbushura me frymëzim dhe krenari.




