Lidhur me paraqitjen e Kurtit në Gjykatë kanë reaguar edhe deputetet Vlora Çitaku dhe Hykemte Bajrami.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka shkruar në Facebook se Kurti paraqitet për të dëshmuar kundër Faton Klinakut, mirëpo nuk shkon në Prokurori për t’u përgjigjur për aferën milionëshe me rezervat shtetërore.
“Pra, A.K. shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, “krimi” i të cilit ishte një status në Facebook. Por, kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij, refuzon t’i përgjigjet prokurorisë. Kush ka sy me pa dhe vesh me dëgju, e kupton se situata është më se e qartë”, ka shkruar Çitaku.
Në anën tjetër shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami ka shkruar se kur Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta ose Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe Vetëvendosjes, ato menjëherë lavdërohen si mbrojtëse të ligjshmërisë dhe rendit në Republikë, mirëpo të njëjtat kur nxjerrin nxjerrin vendime që cenojnë interesat e Kurtit dhe VV-së, menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara dhe të manipuluara, madje edhe si vegla të Serbisë.




