Policia e Shtetit të Shqipërisë ka njoftuar se është finalizuar një fazë e re e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit intensiv me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si pjesë e këtij operacioni, një shtetas shqiptar, i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike në Lezhë, është kapur në Malin e Zi dhe arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe shkëmbimit të tij me Policinë e Malit të Zi, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi i shtetasit M. D., 31 vjeç.
Shtetasi shqiptar ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 23.04.2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.




