Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një arritje historike gjatë muajit gusht të këtij viti, duke pritur mbi 500 mijë pasagjerë. Ky është numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe konsiderohet si një prej sukseseve më të mëdha të aeroportit ndërkombëtar që nga funksionalizimi i tij.
Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka bërë të ditur për KosovaPress se rritja ka qenë e qëndrueshme që nga fillimi i vitit, që nga janari deri në qershor të këtij viti, ka shënuar rritje të pasagjerëve, rreth 16 për qind.
Gara ka thënë se është hera e parë që aeroporti ka shënuar gjysmë milion udhëtarësh brenda vetëm një muaji.
“Janari i këtij viti ka shënuar një rritje të numrit të udhëtarëve deri në muajin qershor rreth 16 për qind. Ndërkaq gjatë muajit gusht kemi arritur një rekord në numër të udhëtarëve – mbi 500 mijë. Çdo vit pothuajse kemi arritur rekord në numër të udhëtarëve, por është hera e parë që ne brenda një muaji shënojmë mbi 500 mijë udhëtarë apo gjysmë milioni udhëtarësh”, është shprehur Gara.
Sipas saj, destinacionet më të frekuentuara vazhdojnë të jenë Zvicra dhe Gjermania, të cilat prinë me numrin më të madh të udhëtarëve që udhëtojnë përmes këtij aeroporti. Pas tyre vijnë Turqia, Austria dhe vende të tjera evropiane e botërore.




