Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë publikuar transkriptin e seancës së 27 marsit 2025, në të cilën Hashim Thaçi kishte ngritur shqetësimet e tij lidhur me praninë e një prokurori, i cili më parë kishte punuar në Njësinë e Parbaurgimit në Hagë.
Sipas transkriptit, Thaçi kishte përmendur se prokurori John Devaney, atëherë pjesë e stafit të Qendrës së Paraburgimit, i kishte kërcënuar dhe cenuar fizikisht.
“U befasova vërtetë sot kur pashë përballë nesh zotërinë në fjalë. Nuk ia di emrin, por kjo nuk ka rëndësi. Kur na sollën këtu në qendrën e paraburgimit, ai u prezantua si roje, pastaj si hetues në qendrën e paraburgimit, më pas si zëvendësshef i kësaj qendre, dhe nganjëherë edhe si shef i qendrës së paraburgimit. Dhe ka fakte dhe dëshmitarë që vërtetojnë atë që po them. I nderuar, zotëria në fjalë – sot Prokuror; dje roje burgu – ka kryer [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR]. Dhe ne, të akuzuarit në procesin numër 6, nuk përdorim as cigare. Ai personalisht e ka bërë, ky Prokuror aktual, [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] mekanizma në këtë qendër paraburgimi. [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] Në raste të caktuara, i nderuar dhe Paneli juaj, ai ka kryer edhe fyerje dhe kërcënime fizike. Ky prokuror, nga praktika që ka përdorur, [E REDAKTUAR)”, thuhet në transkriptë.
Përveç kësaj, Thaçi kishte thënë se dëshiron që fjalën e tij ta bëjë në seancë publike dhe theksoi se Specialja është Gjykatë e Kosovës.
“Kjo Gjykatë është një gjykatë e Kosovës. Ajo është themeluar nga Kuvendi i saj për të punuar mbi bazën e ligjeve të saj kushtetuese, dhe unë besoj se kjo do të jetë deri në fund të procesit. Megjithatë, problemet që kemi pasur gjatë këtyre katër viteve e gjysmë, gjatë kësaj periudhe, dhe meqë e shoh këtë, kjo më shqetëson kur e shoh këtë zotëri sot që shfaqet para nesh, dje roje burgu e sot Prokuror, diçka që as në rastin e Navalnyt nuk është përdorur”, kishte thënë Thaçi.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë, njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.




