Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese e cila prapë vendosi masë të përkohshme për Kuvendin.
Abdixhiku me një postim në rrjetet sociale ka thënë se kjo masë është një bllokadë tjetër, duke shtuar se padituria kushton.
”Masë tjetër, bllokadë tjetër. Padituria kushton.
Ja ku na ka sjellë popullizmi.
Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës.
Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?!
U thamë. Nuk dëgjuan.
U treguam. Nuk panë.
Kështu ndodhë kur shkatërruesit e shtetit, shkelësit e 48 herë Kushtetutës rresht, për synim nuk kanë atdheun, por kauzën elektorale për një votë a dy. Në mungesë të ideve, në mungesë të projekteve, në përballje me afera korruptive që bërtasin gjithandej hajni, vreri i tradhëtarëve e patriotëve në moçalin e madh të pështymave bëhet krejt i lehtë. Gojën plot Serbi – është lehtë. Punë për Kosovën është vështirë për ata që veç karrigën kanë synim.
LDK është e saktë sepse e kupton shtetin. Që nga shkurti e deri më sot, çdo pozicion i ynë politik kishte kuptim shtetar e kushtetues. Përballja me popullizmin nuk është e lehtë, por mbetet e paalternativë. Besimi ynë në Republikë e demokraci do të na udhëheqë.
Koha e shkatërruesve të shtetit duhet të mbarojë.
Koha e shkatërruesve të shtetit po mbaron.” – ka shkruar Abdixhiku.




