Këshilli Drejtues i SBAShK-ut, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku u trajtuan disa çështje me rëndësi për anëtarësinë dhe arsimin në vend.
Përmes një komunikatë për media, SBAShK-u tha se një nga temat kryesore të mbledhjes ishte mungesa e teksteve shkollore, problem që po përsëritet edhe këtë vit.
“Kryetarët e niveleve komunale raportuan se situata është më e theksuar te klasat VI–IX, ku ka mungesë të librave për shkak të dallimeve në numrin e nxënësve krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa tekstet e dorëzuara janë shpesh të dëmtuara dhe pothuajse të papërdorshme”, thuhet tutje në komunikatë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e kësaj mbledhje ishte shqetësimi për mosformimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, për shkak se vonesat e gjata po dëmtojnë procesin arsimor dhe zgjedhjen e kërkesave të punëtorëve të arsimit.
“U ra dakord që sapo të formohet Qeveria, SBAShK-u të nisë dialogun për adresimin e kërkesave të kahershme të anëtarësisë”, thuhet tutje në njoftim.
Nëse nuk do të ketë gatishmëri për dialog dhe rezultate konkrete, SBAShK-u thotë se do të nisë veprime sindikale, duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme.




