Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se udhëheqësit e vendeve evropiane do të vizitojnë SHBA-në të hënën ose të martën, për të diskutuar mënyrat për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ai shtoi se do të zhvillojë një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin “së shpejti” dhe sinjalizoi kalimin në një fazë të dytë të sanksioneve ndaj Moskës.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i përshëndeti sanksionet, duke i quajtur “ideja e duhur”, dhe u bëri thirrje shteteve evropiane që të ndalojnë blerjen e energjisë nga Rusia, shkruan BBC.
Deklaratat e liderëve vijnë në kohën kur Rusia ka ndërmarrë sulmet më të mëdha ajrore në Ukrainë që nga fillimi i luftës, duke vrarë katër persona dhe goditur për herë të parë ndërtesën kryesore qeveritare në Kiev.




