Ministria e Punëve të Jashtme e ka konfirmuar arrestimin e kosovarit Hazir Haziri, nga autoritetet e Serbisë, një ditë më parë në pikën kufitare në Merdarë, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.
MPJD thotë se menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi ndalimin e Hazirit.
“Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it. Nëse ndaj z. Haziri vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të bëj kërkesën për vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit”, thuhet në konfirmimin e MPJD-së.
Ministria e Punëve të Jashtme ka ripërsëritur thirrjen që të shmangen udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë, derisa nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare.




