Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se sot duke nisur nga ora 10:00, në fshatin në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, do të zhvillohen inspektime në terren, në kuptim të vlerësimit të lokacionit, për shkak të dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.
Sipas këtij komisioni, ky zhvillim vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme në kuadër të takimeve të delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Theksojmë se ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë. Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara”, thuhet në njoftim.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se kërkesë e përsëritur e tyre mbetet që gërmimet në terren duhet të shoqërohen me të dhënat nga arkivat përkatëse të institucioneve të Serbisë, të cilat siç thuhet në njoftim, do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit të varrit masiv dhe në sigurimin e provave të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.




