Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, duke e cilësuar këtë datë si një ditë që ka tronditur edhe popullin e Kosovës.
Ai ka theksuar se lidhja mes shqiptarëve dhe Amerikës është e fortë dhe e pandashme. Haradinaj ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s më 24 mars 1999, të udhëhequr nga SHBA, duke e quajtur atë moment vendimtar për jetën dhe ekzistencën e popullit të Kosovës. Kryetari i AAK-së tha se kjo lidhje është bërë pjesë e historisë dhe identitetit të shqiptarëve.
“Fati i popullit tonë edhe jeta jonë edhe ekzistenca jonë është e lidhur me Amerikën. Më 24 marsin e vitit 1999 kur Amerika i priu NATO-s ndërhyri pra në luftën e Kosovës. Duke filluar fushatën ajrore, bombardimin e caqeve serbe të regjimit të Millosheviqit atëherë dhe ndihmoi ndaljen e luftës. Kjo ndjenë e tillë e një lidhje të jetës të gjakut të popullit tonë të Kosovës, shqiptarëve me Amerikën është e fuqishme”, ka deklaruar Haradinaj.





