Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë hedhur poshtë një kërkesë e Rexhep Selimit për të vendosur garanci gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e mbrojtjes,
Selimi kishte kërkuar kufizim të objektit të pyetjes dhe moslejim të palëve jothirrëse të bëjnë pyetje lidhur me veprimin apo sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas zëdhënëses së DhSK-së, Angela Griep, në vendim, trupi gjykues ka shpjeguar se kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga pala jothirrëse janë të përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në urdhrin e trupit gjykues për zhvillimin e gjykimit.
“Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për aspekte lidhur me argumentet e tyre me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën”, tha Angela Griep.
Sipas Griep, trupi gjykues ka pasur parasysh shqetësimet e ngritura nga mbrojtja e Selimit, por do të ishte e parakohshme dhe hamendesusese në këtë fazë të gjykimit që të vendosen kufizime shtesë, pasi s’ka informacione nëse Prokuroria do të kërkojë që të pranohen prova përmes dëshmitarëve të mbrojtjes.




